shqip | english ...
Eagle Mobile - Albanian Mobile Company   corner
   
 


Eagle Mobile është një markë shqiptare.

Operatori i tretë i telefonisë celulare në Shqipëri, u themelua më 23 tetor 2003 nga qeveria shqiptare, si një pjesë integrale e operatorit të telefonisë fikse në Shqipëri, Albtelecom. Privatizimi filloi në vitin 2005 dhe u finalizua më 28 shtator 2007, kur Cetel Telekom, i përbërë nga një nga kompanitë më të mëdha në Turqi, Çalik Group 80% dhe Turk Telekom 20%, bleu 76% të aksioneve, së bashku me partnerin e saj Turk Telekom. Ndërsa pjesa tjetër e aksioneve prej 24% zotërohet nga qeveria shqiptare dhe aksionerë të tjerë.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës asokohe, Genc Ruli dhe Presidenti i Çalik Holding, Ahmet Çalik, në Tiranë. Në mars të 2008-ës, kryeministrat e Shqipërisë dhe Turqisë, Sali Berisha dhe Recep Tayyip Erdogan, përshëndetën njëri-tjetrin me një "ALO" simbolike, që hapi zyrtarisht komunikimin e Eagle Mobile, kompani e cila mbart simbolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Shqiponjën.

Eagle Mobile vendosi një rekord të ri duke hyrë në tregun shqiptar të telekomunikacionit më 12 mars 2008. Në një periudhë shumë të shkurtër prej 6 muajsh, Eagle Mobile mbuloi të gjithë territorin e vendit, duke tejkaluar të gjithë kufijtë e shpejtësisë dhe parashikimeve. Më 31 dhjetor 2008, kompania arriti mbulim në 97.8% e popullsisë së vendit dhe 90% të territorit të vendit, duke siguruar shërbime në të gjithë Shqipërinë. Hyrja e fuqishme dhe përgatitja në një kohë rekord e operatorit Eagle Mobile në treg do të thoshte shumë për shqiptarët, që prisnin me padurim prishjen e situatës duopol në tregun shqiptar. Tashmë suksesi i garantuar i Eagle Mobile është vënë në dukje në deklarata të ndryshme të personaliteteve dhe institucioneve të ndryshme shtetërore, ata të fushës së telekomunikacionit në vend dhe më gjerë.

Eagle Mobile është një kompani rinore. Mbi 370 punonjës janë të punësuar në këtë kompani, ndërsa 150 të tjerë punojnë për Eagle Mobile përmes kompanive nënkontraktore. Rrjeti i dyqaneve Eagle ka kaluar shifrën 70, ndërsa rrjeti shpërndarës është zgjeruar dukshëm. 95% e punonjësve janë shqiptarë dhe vetëm 5% e tyre janë me nënshtetësi të huaj. (Të dhëna të datës 07 janar 2011).
Tani, pothuajse tre vjet pas hyrjes në treg, Eagle Mobile shënon mbi 800 mijë abonentë, që është një shifër rekord e arritur në një kohë kaq të shkurtër. Kompania kishte një sukses të madh në treg me Paketat ProRing, Super RiniRing dhe LIFE. Për herë të parë numrat me kontratë dhe rimbushje u kombinuan në një grup të vetëm dhe kjo përbënte një praktikë të re në Shqipëri.

Eagle Mobile solli për herë parë për shqiptarët teknologjinë EDGE, shërbimin më të shpejtë të internetit në celular në teknologjinë 2.5G dhe tani kompania është gati për teknologjinë më të fundit 3G, në pritje të marrjes së liçencës. Eagle Mobile ka sjellë në Shqipëri teknologjinë më të fundit celulare dhe sigurisht, edhe shërbimet më moderne në vend. Disa nga shërbimet më të fundit që janë futur në Shqipëri nga kjo kompani janë: Mobile TV, ku abonentët Eagle kanë mundësi të ndjekin 10 kanale televizive, vendase dhe të huaja me sinjal të drejtpërdrejtë, si dhe të njihen me videot më të fundit në fushën e kinematografisë. “Eagle Eye” i quajtur ndryshe Vehicle Tracking System (Sistemi i Vëzhgimit të Automjetit), që ka të bëjë me mbikëqyrjen e makinave kudo që ndodhen, si dhe bëjnë të mundur kontrollin e karburantit, harxhimeve, shpejtësisë, etj.
 “Lajmi ashtu siç ndodh” është një tjetër praktikë që Eagle Mobile e ka projektuar në bashkëpunim me agjencinë më të madhe të lajmeve në vend, ATSH. Të gjithë përdoruesit Eagle mund të informohen përmes mesazheve SMS për të rejat më të fundit në vend dhe botë. Çdo mëngjes ata mund të informohen mbi kursin e këmbimit dhe parashikimin e motit, ndërkohë që jepen shërbime edhe nga media të tjera nëpërmjet celularit...
Eagle Mobile arriti në një kohë rekord të ketë shërbim të plotë roaming. Kompania ka shërbim roaming në mbi 220 vende me 420 operatorë.
 
Përgjegjësia sociale
Që në ditët e para të hyrjes në treg, Eagle Mobile ka ndërmarrë projekte në fushën e përgjegjësisë sociale. Tashmë kjo kompani ka bërë traditë që çdo vit të vendosë një “Prioritet Social”.
Fëmijët jetimë kanë qenë nën fokusin e kompanisë gjatë vitit 2009, dhe këtë vit ia dedikoi atyre duke e shpallur “Viti i Fëmijëve Jetimë”.
Eagle Mobile shpalli vitin 2010 “Viti i Mjedisit”, duke kontribuar në gjelbërimin e mjedisit, ndërtimin e parqeve të lojërave për fëmijë dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë pritet që të shpallet edhe prioriteti për vitin 2011.
Një ndër projektet më madhore të vitit 2010 ka qenë “Eagle Mobile, Një me Natyrën”, konceptuar si fushatë pastrimi dhe sensibilizimi në plot 7 qytete të Shqipërisë nga Veriu në Jug.
Kompania nuk ka lënë pas dore edhe sektorin e arsimit përgjatë këtij viti duke kontribuar në rikonstruksionin e sallës së leksioneve, pranë Fakultetit të Shkencave në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në rikualifikimin e laboratorit të Teknologjisë së Informacionit pranë Fakultetit të Shkencave.

Për hollësi të mëtejshme, ju lutem na kontaktoni në adresën: pr@eaglemobile.al  

Shënim: Informacioni u përditësua më 11 janar 2011.

 
 
Calik Holding Copyright © 2009 Eagle Mobile. All rights reserved. Termat dhe Kushtet